Broja me rekord të veçantë në Premier League

Armando Broja po vazhdon të shkēlqej në eliten e futbollit anglez, që nga shumë njohës të futbollit llogaritet si liga më e fortë në botë.

Në ndeshjen e mbrëmshme, Broja shënoi një gol në fitoren e Southamptonit kundër Brentford me rezultat 4-1.

20-vjeçari realizoi golin e 3-të për skuadrën e tij në minutën e 49′ pas asistimit të Oriol Romeut dhe kështu arrin një rekord të veçantë.

Reprezentuesi i Shqipërisë bëhet lojtari më i ri në Premier League në këtë sezon që shënon 5 gola në moshën 20 vjet dhe 123 ditë.

“Është nder të luaj në Ligën Premier për një klub kaq të mirë dhe të jem pranë një klubi si ky dhe lojtarëve të tillë. Jam mirënjohës që jam pranë ekipit. Unë po përpiqem të ndihmoj ekipin dhe të shënoj gola, kjo është gjithçka që mund të bëj”, u shpreh Broja pas ndeshjes.

Armando Broja në këtë edicion ka zhvilluar 16 ndeshje në Premier League, ku ka shënuar 5 gola dhe 1 asistim.

Southamptoni aktualisht gjendet në pozitën e 11-të me 24 pikë të grumbulluara në 20 ndeshje.